Site icon PrishtinaPress

Kurti: Propozimi i BE-së për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit është i pabalancuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pakënaqur me planin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Ai ka theksuar se sekuencimi, çfarë ka propozuar BE-ja, nuk mund të ketë më shumë se gjysmën të dedikuar për nenet 7 dhe 10 – që flasin për vetëmenaxhim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve.

Kurti tha se është i angazhuar në dialog, por tha se po mungon zbatimi i sekuencimit të plotë e pa kushte e pa vonesa i Marrëveshjes bazike dhe Ankesit të zbatimit.

“Një sekuencim që do të ishte i balancuar dhe fer, por që praktikisht është krejt i ndryshëm prej asaj që na është ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktivë, por s’mundet që çfarëdo sekuencimi që të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t`i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, ka thënë Kurti

Kryeministri Albin Kurti nuk ka bërë të ditur nëse do të shkojë apo jo në takimin e Brukselit, për të cilit Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi se do të mbahet javën e ardhshme për, siç tha ai, krizën në Veri.

Kurti në një prononcim për media, tha se Borrelit do t’i japë një përgjigje javën e ardhshme, pasi të konsultohet me ekipin e tij,

“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj data 23, pastaj data sërish 22. Do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do t’i japim një përgjigje javën e ardhshme”, tha kryeministri Kurti.

Exit mobile version