Site icon PrishtinaPress

Kurti, Prokurorisë Speciale: Pesë vjet pa rezultat për adresimin e krimeve të luftës, aktakuzat mund të numërohen në gishta

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesën e tyre.

Kurti kritikoi sistemin e drejtësisë në lidhje me gjykimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre, duke thënë se kanë kaluar “pesë vjet pa rezultat”.

“Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat. 25 vjet pas luftës, pa drejtësi për viktimat”.

“Prokuroria speciale duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë. Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës mund të numërohen në gishta”, shkroi Kurti.

Më tej, Kurti i tha Prokurorisë se adresimi i krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë duhet të jetë prioritet, e sipas tij, nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat tha se Prokuroria duhet t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte.

“Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht e shumë prej tyre njihen nga të mbijetuarit e nga familjarët e viktimave”.

“Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për  adresim të krimeve të luftës”, tha Kurti.

Tutje, kreu i qeverisë tha se gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e obligim për vuajtjet e të kaluarës dhe shpresën për të ardhmen, për sakrificën e të rënëve në luftë dhe për brezat që po rriten në liri.

Exit mobile version