Site icon PrishtinaPress

Kurti: Prokuroria Speciale po hesht kundrejt ndjekjes dhe gjykimit të kriminelëve të luftës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kujtuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që ndodhi me 30 maj të këtij viti, ka thënë se Prokuroria Speciale po hesht kundrejt ndjekjes dhe gjykimit të kriminelëve të luftës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti, thotë se me këtë ndryshim iu mundësua sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë.

“U gëzuam kur u amandamentua ky ligj, sepse më në fund edhe Kosova po ndiqte shembullin e Kroacisë, duke fituar të drejtën për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve tanë. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht, sepse janë ende gjallë të mbijetuarit e familjarët e viktimave”, ka thënë Kurti.

Kurti, pyet Prokurorinë Speciale pse ende nuk ka çuar para trupit gjykues masakruesit e luftës së fundit në Kosovë.

“Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj. Prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në lidhje me këtë”, ka shkruar ai.

Exit mobile version