Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e posaçëm të Norvegjisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjørnstad dhe Anžej Frangeš, të shoqëruar nga ambasadorët përkatës në Kosovë, Jens Grøndahl dhe Minca Benedejčič.
Duke i uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për kontributin e Norvegjisë dhe Sllovenisë në avancimin e shtetit të Kosovës. Ai çmoi angazhimin dhe kontributin e këtyre dy vendeve mike të Kosovës dhe të dërguarve të tyre në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkëpunimi i ndërsjellët, integrimi evropian i Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor si dhe sfidat e përbashkëta të kontinentit evropian ishin çështje të bashkëbisedimit.
U diskutua edhe për raportet me Serbinë, për takimin e radhës të 18 marsit në Ohër, ku do të diskutohet plani i zbatimit të propozimit të BE-së për marrëveshje bazë, si dhe për pritjet nga ai takim.
Emisarët Arne Bjørnstad dhe Anžej Frangeš ofruan mbështetjen e tyre dhe të vendeve që përfaqësojnë për procesin e dialogut dhe për takimin e ardhshëm në Ohër. Ata theksuan rëndësinë e këtij takimi si mundësi unike për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve drejt normalizimit të plotë të raporteve dhe kontributin që ka për paqen dhe sigurinë në rajon.
Ata po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë zyrtare gjatë së cilës do të takojnë edhe përfaqësues tjerë institucionalë dhe politikë përfshirë opozitën.