Site icon PrishtinaPress

Kurti pritet nga Dendias, thellimi i bashkëpunimit, sidomos ai ekonomik ishte në qendër të bisedës

Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Delphi, kryeministri, Albin Kurti, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen më tej, veçanërisht në rrafshin ekonomik kanë qenë pjesë e bisedës së tyre, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kurti ka falënderuar Dendias dhe shtetin e Greqisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në proceset integruese.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në kumtesë.

Qeveria njofton se ky është takimi i dhjetë Kurti-Dendias në dy vjetët e fundit.

Exit mobile version