Site icon PrishtinaPress

Kurti prezanton buxhetin për vitin 2023 ne Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar sot buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Prishtinës.

Ai prishtinasve iu tha se buxheti për vitin e ardhshëm është 3.2 miliardë euro, më i larti në historinë e Kosovës. Sipas tij, prioritet i ekzekutivit do të jetë edhe Prishtina, pasi kanë ndarë 109 milionë euro, më së shumti ndonjëherë.

“Buxheti për komunat rritet për 20 për qind. Për Komunën e Prishtinës kemi ndarë 109 milionë euro prej tyre 66 milionë euro për shpenzime operacionale, ndërsa 44 milionë euro për shpenzime kapitale dhe 55 milionë të tjera mund të jenë nga ministritë… Qeveria jonë udhëhiqet nga tri vlera kryesore: drejtësia, barazia dhe zhvillimi”, tha ai.

Edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, foli për Komunën e Prishtinës, ku tha se vetëm për investime kapitale në kryeqytet kanë ndarë 43 milionë euro.

“Për herë të parë buxheti i Prishtinës do të kalojë mbi 100 milionë euro. Ndoshta vetëm tri-katër ministri kanë buxhetin më të lartë, gjitha ministritë tjera kanë më pak buxhet se sa që i kemi nda Prishtinës. Prej atij buxheti mbi 70 milionë janë të qeverisë, veç për investime kapitale i ka 43 milionë euro vetëm a janë që shpenzojnë dhe kryejnë punë, pasi nëse e shohim veç për sivjet për 9 muajt e parë kanë shpenzuar vetëm 2 milionë euro”, shtoi ai.

Në këtë aktivitet kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Turin e takimeve me qytetarë për t’iu prezantuar buxhetin, Kurti e ka nisur në Prizren, ndërsa dje ishte në Mitrovicë.

Exit mobile version