Site icon PrishtinaPress

Kurti pret në takim përfaqësues nga organizata CSSP, flasin për komunitetin serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim gjatë ditës së djeshme Christoph Luettmann dhe Simone Ceresa nga organizata CSSP – Berlin Center for Integrative Mediation.

Temë e diskutimit ishin aktivitetet e zhvilluara në kuadër të dialogut të brendshëm dhe hapat e ndërmarrë gjatë këtyre 32 muajve qeverisje, për ndërtimin e besimit ndërmjet qytetarëve tanë nga komuniteti serb dhe Qeverisë, raporton Klan Kosova.

“U cilësua i suksesshëm procesi i rifillimit të verifikimit të diplomave dhe krijimi i bazës ligjore për verifikimin e diplomave të shkollave të mesme. Gjithashtu, pozitive kanë qenë dhe takimet që ka mbajtur Kryeministri me shoqërinë civile serbe në Kosovë dhe vizitat e tij në lokalitetet e banuara kryesisht nga komuniteti serb”, thuhet në komnunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka ndarë në muajin shtator të këtij viti një fond prej 3 milionë eurosh për OJQ-të, bizneset e vogla, e fermerët, me disa prej tyre edhe është takuar Kryeministri Kurti gjatë nënshkrimit të kontratave për grantet.

Gjatë bisedës, u përmendën dhe emërimet e serbëve në pozita të larta të institucioneve siç është rasti i Srdjan Sentic, i zgjedhur si Zëvendës Avokat i Popullit dhe zgjedhjes brenda bordit të Trepçës të një anëtari nga komuniteti serb, Dragisa Krstovic.

Kurti theksoi që buxheti për vitin 2024 për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është rritur për 51%.

“Ai u shpreh optimist për zhvillimin e ndërtimin e besimit mes qytetarëve nga komuniteti serb dhe Qeverisë, sepse Qeveria është aty për ta, dhe me gatishmëri të plotë për të vazhduar me aktivitetet e dialogut të brendshëm e për të dëgjuar kërkesat dhe propozimet e të gjithë qytetarëve pa dallim”, thuhet më tej në komunikatë.

Exit mobile version