Site icon PrishtinaPress

Kurti pret në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Docherty

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovës në një vizitë zyrtare.

Duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për ndihmën e mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin, shtetndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e Kosovës. Në këtë mes, u theksua përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i mirë në fushën e sigurisë.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Docherty me zhvillimet e fundit, ku veçoi dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit.

Në takim, kryeministri Kurti u shoqërua nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ndërkaq ministri Docherty u shoqërua nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox. /Prishtinapress/

Exit mobile version