Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka pritur stafin dhe lojtarët e KF Ballkanit, duke thënë se qeveria është e hapur për ta.
Kurti tha se për tre vjet rresht, Ballkani u bë tre herë kampion në Superligën e futbollit, ndërkaq përmendi edhe suksesin e sivjetmë të klubit suharekas, të cilët e fituan për edhe Kupën e Kosovën.
“Ky sukses i jashtëzakonshëm shkon për klubin futbollistik KF Ballkani nga qyteti i Suharekës, që pa dyshim është shndërruar në qytet të sportit”.
“Me gjithë këto suksese, me pjesëmarrje edhe në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve, me shumë lojtarë që nga ky klub tash janë pjesë e shumë ekipeve të njohura në Evropë e më gjerë, e ardhmja e kampionit aktual të futbollit në Kosovë është pa dyshim edhe me më shumë suksese”, shkroi Kurti
Më tej, Kurti i ka falënderuar stafin dhe lojtarët për siç tha, emocionet e festat këtë stinor, por edhe për dhuratën që klubi ia bëri atij.
“Faleminderit edhe për dhuratën e veçantë, topin e futbollit me nënshkrimet e futbollistëve kampion, me të cilin Ballkani e filloi ndeshjen historike në pjesëmarrjen e parë të ndonjë klubi vendor në Ligën e Konferencës”, shkroi Kurti.
Këtë vit, Ballkani si fitues i Superligës së Kosovës do të marrë pjesë në garat evropiane, përkatësisht në kualifikimet për fazën e grupeve në Champions League.