Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë e varrimit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mejdi Asllani, i njohur si “Plaku i Maleve”.
Para familjarëve të tashmë të ndjerit Mejdi Asllanit, shokëve, miqve, bashkëluftëtarëve të pranishëm në nderim të jetës dhe veprës së tij, Kurti kujtoi atdhetarizmin dhe rezistencën e kësaj familjeje më 7 mars të vitit 1999.
“7 marsi i vitit 1999 ka mbetur i shkruar me shkronja të arta në historinë më të re të Kosovës sepse ishte ajo ditë, shënimin e 25-vjetorit të së cilës do ta kemi së shpejti kur Mejdi Asllani u rrethua nga forcat policore të Serbisë të cilët përderisa anëtarët e familjes së tij ishin të fjetur, hynë brenda dhe i morën peng. Ai ishte me djalin e vetë Asllanin aty teksa tytat e automatikëve ishin të drejtuar ndaj të gjithë anëtarëve të familjes dhe një familje e tërë e marrë peng, brenda pak kohë e mori peng pikërisht pengmarrësi”, kujtoi ai, duke thënë se edhe me ato pak armë që kishin në shtëpinë e tyre, ata i zmbrapsën forcat armike policore.
Rastet sikurse ballafaqimi i drejtpërdrejtë në kushte të pamundura i Mejdi Asllanit me familje, janë dëshmi se sa e pabarabartë ishte ajo luftë nga e cila ne dolëm fitimtarë, veçoi kryeministri.
“Edhe gjërat të cilat duken të pamundura njerëz me patriotizëm dhe vullnet, me guxim e trimëri sikurse Mejdi Asllani i bëjnë të mundura. Atë çfarë dikush se imagjinon dot njerëz si Mejdi Asllani e bëjnë realitet”, shtoi ai.
Kurti e përmbylli duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për “Plakun e Maleve”, për plakun e Emshirit, për Mejdi Asllanin, për jetën e tij dhe për veprat që ai na i dhuroi.