Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke kujtuar rezistencën e njohur të punëtorëve në Çikago.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka përmendur hapat që ka ndërmarrë Qeveria që ai udhëheq për të prekur direkt jetën e punëtorëve.
“Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë. Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm. Gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi). Po ashtu, kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat”, shkroi ai.
Tutje shefi i Qeverisë tha se punësimi ka qenë njëri prej prioriteve kryesore dhe sipas tij, së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë.
“Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve. Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë. Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë”, tha tutje kryeministri Kurti.