5.9 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Kurti përkujton Kelmendin, Berishën dhe Hajrizin në përvjetorin e vrasjes së tyre

Kryeministri i Kosovës ka përkujtuar tre aktivistët e shquar e vrarë të Kosovës më 24 dhe 25 mars në vitin 1999 nga forcat serbe.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti përmend vrasjen e Bajram Kelmendit në Prishtinë, Latif Berishës dhe Agim Hajrizit në Mitrovicë.

“Mes 24 dhe 25 marsit të vitit 1999, forcat serbe vranë tre aktivistë të shquar të jetës publike në Kosovë: Bajram Kelmendin, Latif Berishën dhe Agim Hajrizin!

Teksa trupat ajrore të NATO-s nisën fushatën e bombardimeve mbi Jugosllavi si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë, natën e 24 marsit, pesë policë serbë u futën në shtëpinë e Bajram Kelmendit dhe e morën dhunshëm bashkë me dy djemtë e tij: Kushtrimin dhe Kastriotin. Pas dy ditësh, më 26 mars, që të tre u gjetën të vrarë në periferi të Prishtinës. Bajram Kelmendi ishte një jurist i shquar, avokat shumë aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, prej nga kishte evidentuar edhe dëshmi të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë më 1998.

Në po atë natë të 24 marsit, forcat serbe e vranë në shtëpinë e tij në Mitrovicë, Latif Berishën, aktivistin e shquar politik, atë kohë 67 vjeçar. Ky ligjërues universitar i historisë së letërsisë shqipe dhe autor i shumë studimeve për veprat letrare të rilindasve shqiptarë, kishte qenë tejet aktiv në jetën intelektuale dhe politike të Mitrovicës dhe të Kosovës, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive kulturore, civile dhe politike të shqiptarëve.

Në po atë mbrëmje, gjysmë ore pas mesnatës, po në Mitrovicë, policët serbë vranë një tjetër aktivist të dalluar: Agim Hajrizin, Kryetarin e Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ai u vra në shtëpinë e tij bashkë me Nazmijen, nënën e tij dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin. Agim Hajrizi ishte angazhuar për frenimin e migrimit masiv nga Kosova, organizimin e ndihmave humanitare si Kryetar i Këshillit të Solidaritetit në Mitrovicë, organizimin e arsimit dhe të shëndetësisë në shtëpi private, si dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme publike kundër dhunës së Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë.

Duke kujtuar dhe ruajtur historinë e aktivizmit intelektual dhe angazhimit politik të Bajram Kelmendit, Latif Berishës e Agim Hajrizit, si dhe të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img