Zyra e Kryeministrit ka njoftuar mbrëmë se kryeministri Albin Kurti është kërcënuar. Nuk është bërë e ditur për çfarë kërcënimi bëhet fjalë, e as kush e ka kërcënuar kryeministrin, por te shtëpia e tij janë parë forca të shtuara të policisë.
Por, lidhur me këtë rast është deklaruar mbrëmë deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë, Enver Dugolli, cili hedhoi poshtë mundësinë që kërcënimi të ketë lidhje me postimet në rrjete sociale ku kërkohet “vrasja e Albin Kurtit” për një shumë të caktuar parash e të cilat tashmë janë bërë virale.
“I kam parë ato në rrjete sociale. Mund t’iu siguroj se informata për kërcënim është zbuluar dhe ka shkuar nga rrugët operative të njësiteve dhe organeve të shtetit. Këto në rrjete sociale po mundohen në një formë të devalvojnë informatat dhe ngritjen e nivelit të sigurisë dhe nuk janë qëllimmira dhe nuk i kontribuojnë aspak zbardhjes së këtij rasti dhe hetimeve që po zhvillohen”, ka thënë Dugolli.
Por, Kurti sot konfirmoi se kërcënimi kishte ardhur pikërisht nga rrjetet sociale, kështu duke e demantuar deklaratën e Dugollt.
I pari i qeverisë potencoi se kërcënimi i erdhi nga rrjetet sociale dhe për këtë punë janë duke punuar organet e sigurisë.
“Unë ju thashë se nuk ndjehem i rrezikuar mirëpo organet e sigurisë janë mekanizmat e shtetit kur i bëjnë vlerësimet kur gjejnë kërcënime në rrjetet sociale të cilat unë nuk kam mundësi që t’i ndjekë fizikisht për mua është e pamundshme të merrem me kërcënimet ndaj fizikut tim”, tha Kurti para gazetarëve përcjell Insajderi.