Kryeministri i Republikës së Kosovës ka vazhduar me publikimin e arritjeve të Qeverisë gjatë vitit 2022.
Kësaj radhe, Kurti oublikoi arritjet në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas kryeministrit, buxheti për ushtrinë është dyfishuar në krahasim me vitin 2021, teksa janë rekrutuar mbi 800 suhtarë të rinj.
“Nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë. Janë në proces marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Turqinë dhe Kroacinë” ka thënë ndër të tjerash Kurti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Me synim mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, sigurinë publike, mbrojtjen e rendit kushtetues, gjatë vitit të kaluar:
Dyfishuam buxhetin për ushtrinë e Kosovës krahasuar me vitin 2021, ndërkaq në 2023 do të ketë rritje edhe për 20%;
Miratuam Strategjinë e Sigurisë 2022-2027;
Nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë. Janë në proces marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Turqinë dhe Kroacinë;
Janë rekrutuar 820 ushtarë të rinj dhe 30 kadetë;
Në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë aktiv dhe 388 rezervë;
Moshën e rekrutimit e kemi ngritur nga 23 në 25 vjeç;
Janë trajnuar jashtë vendit 2547 ushtarakë: 3 herë më shumë se në 2020, 16 herë më shumë se në 2019;
‘’Edukim në Siguri’’ do të jetë pjesë e kurrikulës shkollore.