Kreu i qeverisë, Albin Kurti, deklaroi se janë duke e përgatitur ligjin për sigurime shëndetësore dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme të qeverisë që mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër do të jetë për miratim dhe pastaj do t’i ndjekë procedurat në Kuvendin e Republikës s ë Kosovës.
Ai shtoi se duhet ta kemi edhe një gjë parasysh, se kur të bëhen sigurimet shëndetësore, te qytetarët do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodh më vonë.
“Nuk duhet harruar që për shumicën dërrmuese të shërbimeve dhe për kujdesin shëndetësor në Kosovë paguhet pak ose fare pak. Pra nuk është që sot qytetarët paguajnë tepër shumë dhe rrjedhimisht sigurimet shëndetësore janë ato të cilat do të na bëjnë të paguajmë më pak. Në fakt, fillimisht sidomos do të jetë e kundërta. Do të na duhet që të paguajmë njëherë në mënyrë që të mos paguajmë më vonë”.
“Prandaj nuk duhet parë sigurimet shëndetësore si njëlloj shkopi magjik i cili do të na i parandalojë sëmundjet ose do të na i eliminojë ato nëse i kemi”, u shpreh Kurti gjatë një prononcimi për media.
“Ne planifikojmë shumë, e përgatitemi gjatë, në mënyrë që të ekzekutojmë shpejt. Sivjet do ta kemi patjetër edhe të kaluar në Kuvendin e Republikës sigurimet shëndetësore”, përfundoi ai.