4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kurti për politikën e Rugovës në vitet 90’të: Ishte tejet pasive për të qenë rezistencë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se politika e viteve të ’90 ka qenë tejet pasive për të qenë rezistencë. Ai ka folur edhe për fillimin e angazhimit të tij politik asokohe. Ai për emision “Public Square”, me Ditmir Bushatin tregoi shumë gjëra për atë kohë dhe për lëvizjen studentore.

“Angazhimin tim politik unë e kam filluar në protesta studentore. Pra, fillimisht si aksion. Do thosha si një lloj përpjekje e studentëve të Universitetit të Prishtinës që u ngriten, së pari, për lirimin e objekteve dhe hapësirës universitare, gjithashtu edhe për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e Kosovës. Në Qershor të vitit 1991, të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës ishin dëbuar nga universiteti së bashku me profesorët e tyre. Kjo ishte arsyeja se pse ne për gati një dekadë ndodheshim në objektet private, ku i kishim shndërruar ato në shtëpi-shkolla dhe në shtëpi-universitet. Paralelisht me këtë edhe prindërit tanë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës. Nga fabrikat, spitalet, nga të gjitha institucionet publike shtetërore. Ishte koha e aparteidit në Kosovë, ku të ishe qytetar shqiptar do të thotë të ishe qytetar i rendit të dytë, do të thotë të mos ishe fare qytetar. Të ishe i shtypur dhe i shfrytëzuar sipas përkufizimit. Vrasja e shqiptarëve nuk paraqiste krim në atë kohë. Prandaj, kishte shumë vrasje të shqiptarëve për të cilët vrarësit nuk mbanin asnjë orë burg. Në këto kushte unë isha student dhe më dukej që politika e atëhershme bënte rezistencë paqësore, pasive, që disi, ishte tejet pasive për të qenë rezistencë. Ne filluam ta ridimensionojmë rezistencën asokohe ku me protesta dhe demostrata filluam ta bëjmë rezistencën paqësore active. Por, shumë shpejt shpërtheu lufta në Kosovë dhe ishte e qartë që faktorët ndërkombëtare nuk do të bënin sehir sikurse në rastin e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës”, ka thënë ao.

Ai foli edhe për ndërhyrjen e NATO’s në Jugosllavi. Sipas tij kjo ndërhyrje ka ardhur pas një dekade aparteidi e pushtimi.

“Unë besoj se ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, apo, Jugosllavisë së tretë siç thuhej në atë kohë – Jugosllavia e parë ishte ajo monarkike, Jugosllavia e dytë ishte ajo e Titos dhe e treta, kjo e Millosheviçit – kishte si faktor përcaktues një lloj brejtje të ndërgjegjjes të komunitetit ndërkombëtar që kishte ndërhyrë tepër vonë, tepër pak në Bosnje-Hercegovinë. Pra, pasi atje ngjau genocidi. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, në fakt ishte ndërhyrje e NATO-s në Jugosllavi. Kishte bombardime dhe në Mal të Zi, dhe në Vojvodinë, dhe në Serbi. Por, më shumë kishte bombardime në Kosovë ndaj forcave policore dhe ushtarake të Serbisë që ishin në caqet e ndërhyrjes së NATO-s. Me fjalë të tjera, ndërhyrja e NATO-s vjen pas një dekade aparteidi, pushtimi klasik në Kosovë, pas shfuqizimit të autonomisë, e cila dhe ashtu nuk ishte Republikë. Dhe në anën tjetër, pas ndërhyrjeve në Kroaci dhe sidomos në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë tutje ai.

“Unë besoj që nga pikpamja ime si politikan, që në atë kohë që kisha filluar me politikën si aksion në unionin studentor, këtu në terren ishin dy faktorët kryesore që bënë që pranvera e vitit 1999 të jetë fillimi i fundit i luftës në Kosovë dhe overtura e çlirimit të popullit dhe vendit tonë.

Në aspektin ndërkombëtar ishin dhe dy faktorë të tjerë mendoj. E para, Serbia refuzoi Marrëveshjen e Rambujesë, ndonëse ajo ishte mjaft e favorshme për Serbinë, për Millosheviçin. Ai e refuzoi atë nga mëndjemadhësia, nga arroganca dhe nga fakti që shqiptarët nuk i konsideronte as qytetarë, as njerëz dhe vazhdimisht Millosheviç i thoshte Richard Holbrooke se, ‘me shqiptarët mund të mbaroj punë për 48 orë nëse do t’i kishte tamam duart e lira nga bashkësia ndërkombëtare’. Faktori tjetër ishte një lloj frike e qartë te Perëndimi demokratik se lufta në Kosovë nuk do mund të mbetej vetëm në Kosovë. Dihet që Republika e Shqipërisë është e rrethuar me shqiptarë. Ka shqiptarë në Mal të Zi, në Kosovë po e po, në Luginën e Preshevës edhe në Maqedoninë e Veriut. Faktori ndërkombëtar e kuptonte mirë që po të zgjatej lufta edhe ca më shumë, menëqëse Serbia kishte një aparat gjigand ushtarak e policor, shqiptarët nuk do të reagonin vetëm si shqiptarë të Kosovës, por si një komb në Ballkan. E kjo do përfshinte edhe shtete të tjera. Andaj, faktori i dytë në aspektin ndërkombëtar pse unë besoj që me 24 Mars 1999 ranë bombat mbi Beogradin dhe caqet e tjera të NATO-s të asaj kohe ishte, paralelisht mospranimi i Marrëveshjes së Rambujesë që ishte i favorshëm për Serbinë dhe frika e Perëndimit demokratik që lufta do të përhapej edhe në vende të tjera në këtë pjesë të Europës”, tha ndër të tjera kryeministri. /Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img