Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga vizita në Mbretërinë e Bashkuara ka udhëtuar në Romë për Kongresin e Partive Socialiste Evropiane. Përgjatë qëndrimit në kryeqytetin e Italisë, Kurti ka folur për Agjencinë Italiane të Lajmeve (AGI).
Kurti ka thënë se Kosova ka ende probleme në kufirin me Serbinë, duke përmendur kështu edhe funksionimin e kriminalitetit në Veri të vendit dhe kontrabandën e madhe që ekziston në atë pjesë.
Kryeministri Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për “Listën Serbe”, duke thënë se kjo parti ka lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.
Kurti, siç citohet nga ky medium, ka thënë se Lista Serbe flet për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet “kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin”.
Në këtë intervistë Kurti ka folur edhe për raportet me Italinë. Kryeministri ka thënë se në fillim e kishte konsideruar Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarnë e saj djathiste dhe me fashizmin, megjithatë thotë se pasi ajo është bërë kryeministre e ka parë që ka krijuar raporte të shkëlqyera me Joe BIden dhe SHBA-në dhe që ka përkrahur Ukrainën.
Kurti ka folur edhe për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në BE.
“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidatë për anëtarësim por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.