Kryeministri Albin Kurti deklaroi se skeptizimi i disa vendeve anëtare që janë shprehur kundër liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka bazë më.
Sipas tij, Kosova ka plotësuar më shumë kritere se çdo vend i rajonit, ndërsa ka përmirësim edhe në fusha të tjera.
Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian, përmes edhe organizmave të tij, është shprehur pro-liberalizimit të vizave.
“Korrikun që shkoi ne shënuam katër vite që kur Komisioni Evropian për herë të dytë rekomandoi liberalizimin e vizave për kosovarët. BE-ja, si projekt e proces më i rëndësishëm historik të paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore, po ashtu është treguar se është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha ai.
Kurti duke rikujtuar kriteret e plotësuara, tha se është shënuar progres edhe në luftimin e korrupsionit dhe sundim të ligjit.
“Ne kemi plotësuar 95 kritere që është 2.5 herë më shumë kritere sesa ato që i plotësuan vendet tona fqinje, kemi përmirësuar imazhin e Kosovës, në shkallë shumë të madhe gjatë vitit që shkoi, jemi ngritur në 17 vende në indeksin për perceptimin e korrupsionit te ‘Transparency International’, policia jonë ka kryer mbi 700 operacione ndaj krimeve ekonomike, korrupsionit dhe krimeve të organizuara, ka arrestuar mbi 2000 mijë persona diku 300 prej tyre zyrtar publik ose shtetëror…varet nga gjithë secili vend anëtar i BE-së që të jap fund skepticizmit për shkak se nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më”, tha ai.
Këto deklarata Kurti i bëri në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”./Prishtinapress/