Site icon PrishtinaPress

Kurti për kërkesën e ShBA-së: Shtyrja 10-mujore s’mund të jetë shtyrje, jemi në të drejtën tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kërkesën e ShBA-ve që afati për konvertimin e targave të shtyhet edhe për 10 muaj.

Sipas tij, shtyrja 10-mujore nuk mund të jetë shtyrje, pasi sipas tij, shtyrja mund të jetë disa javore, apo 1-2 muaj.

“Por në këtë rast ne s’kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë dhe në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se qeveria nuk do që të bëjë kompromis për zbatimin e ligjit dhe siç tha ai, vendimeve të mira qeveritare, por njëkohësit do që të mos cenohet paqja dhe siguria.

“Këtë e kemi bërë me vendimin që kemi marrë. Pra, e kemi bërë një lloj qasje të diferencuar dhe një sekuencim në zbatim që besojmë se është rruga më e mirë dhe e duhur përpara”, është shprehur Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë tha se me Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në kontakt, me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë por edhe drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit.

“Nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë për të cilin ne nuk i njoftojmë partnerët tanë në Washington dhe Bruksel. Pra, ata e dinë paraprakisht qëndrimin tonë”.

“Nuk do të thotë që pajtohemi çdo herë, kudo, sepse qeveria jonë është qeveri e një vendi sovran, dhe kështu edhe ShBA-ja na duan neve, por në anën tjetër s’mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje nga qeveria jonë ndaj brengave evropiane”, është shprehur Kurti.

Exit mobile version