Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar Betejën e Korrikut të vitit 1998, për të cilën tha se filloi më 17 korrik brenda qytetit të Rahovecit dhe në fshatin Fortesë.
Sipas Kurtit, UÇK-ja po mbronte popullatën civile nga depërtimi i forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec, teksa forcat serbe vranë 150 civilë shqiptarë.
“’Gjatë luftimeve në rrugë, civilët shqiptarë ishin lidhur në shtylla elektrike si mburoja njerëzore për forcat serbe. Dy persona raportohet se u panë të varur në shtylla elektrike, disa të tjerë u masakruan duke ua prerë fytin dhe hequr sytë, ndërsa disa të tjerë raportohet se u shkelën nga automjetet e blinduara dhe tanket’, thuhet mes tjerash në Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 23 shtator 1998. Në këtë opinion, flitet edhe për ekzekutime brenda dhe rreth teqes dhe xhamisë në Rahovec, ku forcat policore serbe kishin shtënë në një grup refugjatësh, përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrarë shumë prej tyre”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Kurti përmendi edhe rastin e vrasjes së prijësit fetar 78-vjeçar, Sheh Myhedinin, për të cilin tha se u kishte ofruar civilëve strehim në teqe, teksa policia serbe e qëlloi nga afër për vdekje.
“Forcat policore e ushtarake serbe vranë 150 civilë shqiptarë. Shumë nga ta u varrosën në dy gropa të mëdha, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimeve. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen”.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e rënë në betejën e lavdishme të Rahovecit”, tha ai.