Kryeministri Albin Kurti ka folur për Ligjin e Pagave dhe për Ligjin për Zyrtarët Publikë, për të cilët tha se u desh më shumë kohë që të mos përfundojnë në gjykata e të rrëzohen.
“Ligji për Paga u bë shumë mirë që kaloi në Kuvendin e Kosovës bashkë me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kemi marrë kohë mbase më shumë sesa që do të kishim dëshiruar, por jo më shumë sesa që ka qenë e nevojshme. Dëshirojmë të përgatitemi mirë që ligjet të mos na përfundojnë e rrëzohen nëpër gjykata, andaj edhe duke pasë parasysh edhe përvojën e hidhur kur u tentua herën e parë na është nevojitur një kohë e tillë më e gjatë”.
Kryeministri Kurti njoftoi edhe se kur do të merren pagat, sipas ligjit të ri dhe vlerën e buxhetit që u nda për këto paga.
“Prej 1 shkurti hyn në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga është 745 milionë euro. Për neve pikënisja është tërësia. Andaj ne s’e kemi pasë si pikënisje vlerën e koeficientit, por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo do të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit do të fillojnë pagat me Ligjin e Pagave”.
Ndërkaq, për caktimin e vlerës së koeficientit, ai tha se do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm.
“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar. Ju po kërkoni tash përafërsisht sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej juve dhe jo përafërsisht, por saktësisht në janar 2023”.