Site icon PrishtinaPress

Kurti organizon mbledhje komemorative në nderim të Nazmi Mikullovcit

“Njeriu mund të jetë i zëvendësueshëm për thuajse gjithë gjërat që i bën, por njeriu kurrë nuk mund të zëvendësohet për atë që ai është. Nazmiu, me kujtimet e takimeve me të, por mbi të gjitha me punët e kontributet e tij si profesionist drejtues i nivelit të lartë, në këtë kuptim, është i pazëvendësueshëm për ne, në zemrat tona”.

Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve në mbledhjen komemorative për Nazmi Mikullovcin, e cila filloi me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së tij.

Duke përkujtuar jetën dhe veprën e Mikullovcit në shërbim të vendit, e veçmas në fushën e ekonomisë, kryeministri Kurti tha se do të na duhen shumë e shumë vjet për të sjellur në ekonominë e Kosovës një figurë publike që është drejtor si ai, që drejton si ai.

Më tej, kryeministri tha se Kosovën si ekonomi industriale e njeh prej tij si prej askujt tjetër, përfshirë këtu edhe librat për ekonominë në Kosovë.

Andaj, shtoi ai, fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar nderin e respektin që kemi e që kam për të, në aspektin e tij personal, profesional e qeverisës.

Me fjalë rasti në këtë mbledhje komemorative u drejtuan edhe Mentor Mikullovci, djali i të ndjerit, si dhe Kryesuesi i Bordit “Trepça” Sh.A., Bahri Hyseni, Zëvendëskryesuesja e Bordit të AKP-së, Suzana Dautaj- Surdulli dhe Kryesuesi i Bordit “Ibër Lepenci”, Bajram Mustafa, ndërkaq në pamundësi për të qenë i pranishëm për shkaqe shëndetësore me një letër u drejtua Akademik Mynir Dushi.

Exit mobile version