Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se java e parë e vitit 2024 ka qenë me zhvillime pozitive për Kosovën.
Ai ka shkruar në Facebook se këto janë rezultat i një pune të gjatë, derisa ka falënderuar institucionet për kontributin e dhënë.
“Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë. Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë”, ka shkruar Kurti.
“Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej”.
“Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë”, ka shkruar tutje Kurti.