0.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Kurti: Nuk ka ende drejtësi dhe paqe për Srebrenicën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnje e Hercegovinën, teksa kritikoi politikanët në rajon që mohojnë gjenocidin e ndodhur në Bosnje.

Gjatë ceremonisë përkujtimore për 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, të organizuar në Prishtinë, Kurti tha se “Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e krimeve, ajo asnjëherë nuk u bë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”.

Simboli për gjenocidin në Srebrenicë.
Simboli për gjenocidin në Srebrenicë.

Sipas kryeministrit kosovar, dënimi me burgim të përjetshëm nga gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi, i ish-presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq, për gjenocidin në Srebrenicë, janë tregues se ngjarjet në Bosnje u kryen nga jashtë.

“Ky është tregues që gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia, por nga jashtë, që përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. Prandaj, ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnjën”, tha Kurti.

Kurti kritikoi politikanët në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska që refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Ky mohim, sipas tij, “vë kripë në plagën” e familjarëve të viktimave.

“Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes shteteve dhe popujve në Ballkan. Por, themelimi i kësaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e paimagjinueshme se si në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi. Dhe i vetmi dialog i mirë kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, tha Kurti.

Një ushtar i KFOR-it turk ka vendosur simbolin për Srebrenicën në uniformën e tij.
Një ushtar i KFOR-it turk ka vendosur simbolin për Srebrenicën në uniformën e tij.

I pranishëm në këtë ngjarje për të kujtuar viktimat e Srebrenicës ishte edhe deputeti nga Bosnje e Hercegovina, Shemsudin Mehmedoviq.

Ai tha se më 11 korrik, kur bëhen 28 vjet nga kryerja e gjenocidit në Srebrenicë, e gjithë bota demokratike do të bëjë homazhe për mbi 8.000 viktimat.

“Por, do të ketë edhe të tillë që nuk do të duan të bëjnë homazhe. Ata të cilët sot përkrahin Federatën Ruse, që bënë shkelje të mëdha kundër Ukrainës, kjo është Serbia dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. [Presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq dhe [presidenti i entitetit të Republikës Sërpska] Millorad Dodik, që nuk e pranojnë Kosovën tuaj dhe Bosnjën e Hercegovinën time. Ata nuk na pranojnë as si popuj për shkak të politikave të tyre gjenocidale dhe përsëritjes së krimeve”, tha ai.

Sipas Mehmedoviqit, politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës, por në të ardhmen do ta njohë Republikën Sërpska si shtet “dhe në këtë mënyrë të tentojë të shkatërrojë pavarësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnje e Hercegovinës”.

Zv/kryeministrja Emilia Rexhepi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti nga Bosnja, Shemsudin Mehmedoviq gjatë ceremonisë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë. Prishtinë, 10 korrik 2023
Zv/kryeministrja Emilia Rexhepi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti nga Bosnja, Shemsudin Mehmedoviq gjatë ceremonisë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë. Prishtinë, 10 korrik 2023

Dy vjet më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që njeh ngjarjet e ndodhura në Srebrenicë si gjenocid.

Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.

Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. /REL

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img