A jeni penduar që jeni bërë kryeministër e jo prokuror?”, ishte pyetja që iu drejtua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte duke u prononcuar për media.
Kurti u përgjigj duke thënë se nuk është penduar pse është bërë kryeministër, dhe se njëjtë nuk është penduar as kabineti i tij e as qytetarët që e kanë zgjedhur.
“Nuk jam penduar që jam kryeministër, besoj që njësoj e kanë ndjenjën kolegët e mi nga Qeveria, edhe shumica në kuvendin e republikës, edhe padyshim shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, është evidente që me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ka ndryshuar legjislativi dhe ekzekutivi, ka filluar transformimi i madh demokratik e zhvillimor i vendit tonë”, tha ai.
Kryeministri tha se është e domosdoshme që në Kosovë të ketë drejtësi dhe gjykata të pavarura.
“Ajo që është e domosdoshme është një sistem i drejtësisë, një Prokurori aktive, një gjyqësor efikas, të jenë të mençur të ditur, me integritet, personal, profesional, e patriotë, që të sjellin drejtësi për qytetarët. Kur them drejtësi, mendoj edhe për viktimat e luftës, për shkak të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë, por mendoj edhe për viktimat e korrupsionit dhe krimit të organizuar në periudhën e paqes”, tha ai.