Site icon PrishtinaPress

Kurti nuk i kursen ‘lëvdatat’ për veten edhe për 7 mars: Mësuesve po ua kthejmë dinjitetin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në manifestimin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në ceremoninë e mbajtur në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare, krahas fjalës së rastit, kryeministri Kurti së bashku me zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna ndanë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar nga secila komunë.

Duka u uruar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve, ai tha se historikisht tek populli ynë angazhimi për arsimimin dhe edukimin shqip në njërën anë dhe beteja për liri kombëtare në anën tjetër nuk kanë qenë asnjëherë të ndara.

“Jemi të përkushtuar për shkollën, nxënësit dhe mësuesit, atyre po ua kthejmë dinjitetin, shkollës po ja kthejmë cilësinë”, tha mes tjerash Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në manifestimin për “Ditën e Mësuesit”:

E nderuara zëvendësministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Edona Maloku-Bërdynaj,

Të dashur arsimtare e mësuese, arsimtarë e mësues, mësimdhënës në përgjithësi,

Të nderuar drejtorë, të dashur veprimtarë të çështjes kombëtare dhe aktivistë për arsimimin në gjuhën shqipe,

Të dashura nxënëse dhe nxënës,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Themeli i lirisë është lufta çlirimtare dhe përpjekjet e tjera por, shtyllat dhe kulmin ndërtesës sonë të lirisë ja vendos arsimi.

Sot është Dita e Mësuesit apo dita e arsimit shqip, shqiptarët kudo që ndodhen në trojet e veta historike, këtu në rajonin e Ballkanit apo edhe në mërgatë i nderojmë gjeneratat e mësuesve që kanë dhënë gjakun e djersen për të mbajtur ndezur dritën e arsimit edhe në kohë më të vështira.

Historikisht tek populli ynë angazhimi për arsimimin dhe edukimin shqip në njërën anë dhe beteja për liri kombëtare në anën tjetër nuk kanë qenë asnjëherë të ndara.

Duke u angazhuar për shkollën je angazhuar për liri, duke u angazhuar për liri je angazhuar për shkollën.

E sot, ndodhemi edhe në ditën e tretë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, natyrisht duke kujtuar se edhe Shaban Jashari, ka qenë mësues. Pra, ai ishte mësues i djemve të tij, i Hamëzes e Ademit, por ishte edhe mësues në Drenicë e në Prekaz, ku tash shkolla e mban emrin e tij.
Qysh nga Pandeli Sotiri i cili e qeli shkollën e parë shqipe me natyrë laike në mars të vitit 1887 në Korçë e deri te mësueset e mësuesit e sotëm që punojnë përditë me nxënës e studentë, kontributi i tyre është aq i madh saqë kurrë nuk do të mund t’i falënderojmë sa duhet.

Jemi të përkushtuar për shkollën, nxënësit dhe mësuesit, atyre po ua kthejmë dinjitetin, shkollës po ja kthejmë cilësinë.

Ju faleminderit, e u jam shumë mirënjohës për gjithë kontributin që keni dhënë e po jepni. Te Qeveria e Republikës së Kosovës, te Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e të Inovacionit, do ta keni gjithmonë infrastrukturën që do t’ju përkrah, po në të njëjtën kohë edhe politikën orientuese që e kupton se çdo diskutim për zhvillimin ekonomik dhe për progresin shoqëror përfundon si diskutim për arsimin, ku mësuesja, mësuesi, është bashkë me nxënësin, nxënësin në qendër.

Andaj, gëzuar 7 Marsin, të dashura mësuese e mësues. E urime të gjithëve!

Exit mobile version