Site icon PrishtinaPress

Kurti njofton rreth vizitave në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, e veçon bashkëpunimin me BERZH-in

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimet dhe aktivitetet që ka zhvilluar në kuadër të vizitave zyrtare në Mbetërinë e Bashkuar dhe në Irlandë.

Kurti këtë vizitë e ka nisur në Londër dhe e ka përmbyllur në Dublin, ka ka thënë se ishte kënaqësi të rikthehej pas 20 vjetëve.

Ai ka njoftuar për takimin që ka pasur me Kryeministrin e Irlandës dhe diasporën.

“Aty fillimisht u mirëpritëm ngrohtësisht nga diaspora jonë në Irlandë, të cilët i falënderoj për mikpritjen dhe bashkëbisedimin. Të nesërmen u mirëpritëm nga Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ministri i shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe vizituam Universitetin e Qytetit të Dublinit (DUC) për mundësi të reja të bashkëpunimit”, ka shkruar Kurti.

Në postim, Kurti ka folur edhe për pjesëmarrjen në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 dhe memorandumin e mirëkuptimit me BERZH në vlerë 400 milionë euro.

“Në panelin diskutimi mes krerëve të gjashtë shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, folëm për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor. E në kuadër të këtij samiti, nënshkruam me BERZh-in memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë, dëshmi kjo e përkushtimit, maturisë e punës sonë të vazhdueshme në thithjen e fondeve nga institucione ndërkombëtare financiare”, thuhet në postim.

Ka përmendur edhe pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga ambasada e Kosovës në Londër.

Tutje ka njoftuar për takimet që ka zhviluar në Irlandë.

“Nga Londra, shkuam në Belfastin historik. Zhvilluam takime me Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly, Kryetarin e Parlamentit, Edwin Poots, liderin e opozitës, socialdemokratin Matthew O’Toole dhe Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris. Bisedat të cilat i patëm me ta ishin inkurajuese dhe pozitive. U njohëm më mirë me përvojat dhe përjetimet e tyre nga historiku i Irlandës Veriore, por edhe ndamë me ta atë se çfarë Kosova përfaqëson, si shtet demokratik, me orientim të qartë pro-perëndimor e politika dhe objektiva progresiste, gjithëpërfshirëse e zhvillimore. Theksuam edhe rëndësinë e thyerjes së barrierave mes komuniteteve dhe nevojën për ballafaqimin me të kaluarën dhe kontributin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version