Site icon PrishtinaPress

Kurti njofton për telefonatën me Chollet’in, tregon çfarë i tha zyrtarit të lartë amerikan para takimit me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se e ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ku është diskutuar për agjendën e nesërme të takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti, në njoftimin e shkurtër ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Chollet’in, ka theksuar rëndësinë e implementimit të Marrëveshjes Bazë dhe të Ankesit në tërësinë e tyre dhe në mirëbesim.

“Gjithashtu, e falënderova atë për mbështetjen amerikane”, ka shkruar Kurti.

Për bisedën, pak më parë ka njoftuar edhe Chollet.

Ai ka bërë të ditur se me Kurtin është diskutuar rëndësia e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në mënyrë të menjëhershme.

“Një bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti rreth takimit të liderëve më 2 maj, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE, rëndësinë e implementimit të menjëhershëm të Asociacionit me shumicë Serbe dhe partneritetin e fuqishëm mes SHBA-së dhe Kosovës”, ka bërë të ditur Chollet, raporton Gazeta Express.

Takimi Kurti Vuçiq do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.

Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

 

Exit mobile version