Kryeministri Albin Kurti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ramadani e cila humbi katër anëtarë në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Ferizaj-Shtime, në fshatin Koshare, një ditë më parë.
Në telegram, kryeministri Kurti i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke bashkëndjerë dhimbjen për humbjen tragjike.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për humbjen e jetëve të katër familjarëve Tuaj në aksidentin tragjik. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Me mendje e zemër jemi pranë Jush, në këtë ditë zie e pikëllimi”, thuhet në telegram.
Ndryshe, katër anëtarët e familjes Ramadani nga Shtimja të cilët humbën jetën në një aksident trafiku, janë varrosur sot në varrezat e qytetit.
Familja Ramadani ka falur sipas traditës katër gjaqet ndaj familjes Musliu, prej së cilës vjen drejtuesi i veturës së përfshirë në aksident.
Po ashtu është njoftuar se përveç të pamës që do të mbahet tre ditë tek familja Ramadani, po kaq ditë të pame do të mbajë edhe familja Musliu.
Ndërmjetësues për faljen e gjaqeve kanë qenë kryetarët e komunave, Agim Aliu i Ferizajt dhe Naim Ismajli i Shtimes.