Site icon PrishtinaPress

Kurti nga veriu: Serbia insiston të çojë dinarë cash, ne duam të ndalim financimin e terrorizmit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qenë sot për vizitë në veri, prej ku është deklaruar edhe për zhvillimet e fundit, e ndër të tjera për çështjen e dinarit, që shkaktoi jo pak tensione.

Kuri nga Mitrovica e Veriut tha se problemi qëndron te Serbia, që sipas tij ka për synim që paratë t’i dërgojë në ‘cash’ për financimin e grupeve terroriste. 

“Beogradi e ka zgjedhur mundësinë më të keqe prapë cash e ju e dini se ne kemi konfiskuar më shumë se pesë milionë armë dhe municion të grupit terrorist kriminal të Milan Radojiciqit. E tash ku i morën ata ato para. Ne duam ta ndalim kontrabandën dhe çfarëdo financimi ilegal sepse kur e financon terrorizmin edhe ti je terrorist, sepse terroristët s’mundën pa ato financa. Ne jemi bërë pengesë e Beogradit jo pse ne angazhohemi për euro, sepse mund të kesh edhe kursime në dinarë në banka komerciale, por për atë se ata duan që të funksionojnë vetëm me cash”.

Kurti tutje tha se nuk janë kundër dinarit dhe se Serbia mund t’i ndihmojë serbët në Kosovë. 

Ai shtoi se Beogradi insiston sepse paguajnë njerëz që nuk duhet t’i paguajnë.

“Së pari duhet të them se ne nuk kemi qenë as nuk jemi kundër dinarit, ajo është valutë zyrtare e fqinjit tonë, Serbisë. Serbia mund t’i çojë serbëve në Kosovë ndihmë financiare, por në Kosovë e vetmja valutë për pagesa është euro në përputhje me nenin 11 të Kushtetutës sonë. Vendimin për rregullativën e re e ka marrë BQK më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Beogradi e ka ditur shumë mirë se çka po zhvillohet këtu, atë se banka komerciale e cila ka mbetur pa bankën mëmë …i kanë pasur tre opsione, unë këtë e kam mësuar më vonë sepse ky nuk është resor imi”.

“BQK s’është pjesë e Ministrisë së Financave, por institucion i pavarur i shtetit tonë. Ata kanë pasë tre opsione dhe kanë vendosur për vetëlikuidim. E tash Beogradi insiston në dinarë dhe cash sepse emiton dinarin, insiston për cash sepse s’ka më Bankë Komerciale në Kosovë. Do të thotë ata janë të varur nga cash-i sepse i paguajnë disa njerëz që nuk duhet t’i paguajnë. 

Unë s’kam asgjë që mjekët, profesorët, mësimdhënësit të marrin mjete, por duket se brenga kryesore e Beogradit është se disa njerëz, që s’janë as mjekë as mësimdhënës, nuk mund të marrin cash më si më parë. Ne duam sistem transparent, legalizim të të gjitha transaksioneve financiare të atyre që janë legale dhe s’ka më cash.”

Exit mobile version