Site icon PrishtinaPress

Kurti: Nga sot MSh do të marrë vendimet lidhur me situatën me COVID-19, në konsultim me komunat dhe ministritë përkatëse

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, kanë folur për gjendjen aktuale pandemike në vendin tonë.

Kurti ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese iu ka lënë kohë për të rishikuar procedurën e vendimeve të marra.

“Ne jemi të përkushtuar të veprojmë para se të bëhet vonë, këto masa preventive na kanë kushtuar shumë. E keni parasysh që vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka lënë kohë për të rishikuar procedurën e vendimeve të marra”, tha Kurti

Sipas tij, Gjykata nuk e ka kontestuar legjitimitetin e masave që kemi marrë por se ka konstatuar se të njëjtat duhet të merren nga MSH.

“Prej sonte marrja e vendimeve do të bëhet nga MSH në konsultim me komunat dhe ministritë e linjës. Vendimet do të merren varësisht nga nevojat që përcaktohen edhe nga ISHKPK”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se ka kërkuar ndihmë nga bashkatdhetarët për ta tejkaluar gjendjen jo të mirë ekonomike.

“Për shkak të rënies së të hyrave dhe shpenzime të paparashikuara, për shkak edhe të gjendjes së shëndetësisë që nuk është aspak e mirë. Po ashtu nëpër komuna, duke ditur gjendjen jo të mirë I ftoj bashkatdhetarët që të ndihmojnë Kosovën”, ka thënë tutje Kurti.

Ndërkaq Ministri Arben Vitia ka thënë se deri me tani është dëshmuar vetëdijen kolektive, mirëpo jo mjaftueshëm, për këtë do të vendosen masa më të rrepta.

“COVID-19, gjatë javës në vazhdim do të hyjë në fazën kulminante të saj. Së fundi ka pasur rritje të infektuarve. Dhe për këtë është vendosur për masa më rigoroze. Çdo lëshim i vogël mund të na kushtojë shumë, tani jemi në situatën që nuk duhet të neglizhojmë gjendjen me virusin. Kjo do të parandalonte tutje”, ka thënë ai.

Vitia ka theksuar se nga sonte pas mesnate do të hyjnë në fuqi masat e reja për komunat e vendit.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin rekomandimet, pasi nga kujdesi dhe bashkëpunimi juaj varen jetët tona”, tha Vitia.

Sa i përket Prizrenit, Vitia ka thënë se shihet se situata do del nga kontrolli, atëherë do të merren masat për futjen në karantinë. /Telegrafi/

Exit mobile version