Site icon PrishtinaPress

Kurti: Nga marrëveshja me Malin e Zi për hapësirën ajrore, fluturimet shkurtohen për 15 minuta

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ai në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, përmes së cilës parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Pas takimit, dy shefat e Qeverive kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast kryeministri Kurti ka deklaruar se ky është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

Sipas tij, nga kjo marrëveshje, rruga ajrore shkurtohet për 15 minuta.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për shërbimet ajrore ishte hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ofron mundësi të reja të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje, mund ta shtojë edhe një fluturim. Zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme, ul koston e fluturimeve që ndikojnë në çmim të biletave. Korridoret dalëse dhe hyrëse mes Kosovës dhe Malit të Zi shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake të NATO-s, ndërsa fluturimet komerciale nuk mund të realizoheshin. Hapet mundësia e lirive të fluturimeve të kompanive ajrore. Kjo marrëveshje është në punën e vazhdueshme për ushtrimin e sovranitetit ajror”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri Abazoviq ka paralajmëruar se në vijim do të ketë projekte të tjera me shtetin e Kosovës, të cilat i ka quajtur historike.

Ai tha se bëhet fjalë për disa projekte të rëndësishme infrastrukturore./PrishtinaPress/

Exit mobile version