Site icon PrishtinaPress

Kurti nga Berlini: Kosova do bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të pikave kryesore nga Samiti i Procesit të Berlinit, ku u nënshkruan tri marrëveshje dhe u jetësua Tregu i Përbashkët Rajonal. Kurti ka thënë se e ka falënderuar kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe ka shprehur vullnetin e Kosovës për të qenë partner proaktiv dhe konstruktiv.

Kryeministri ka thënë se Kosova kërkon bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi.

“Në kuadër të Procesit të Berlinit sot jetësuam Tregun e Përbashkët Rajonal me nënshkrimin e tri marrëveshjeve të mobilitetit: për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë; si dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Për arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme, falënderova Kancelarin Scholz, për punën e bërë nga qeveria gjermane si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për angazhimin. Kosova është partner dhe aktor proaktiv dhe konstruktiv. Andaj theksova se ne kërkojmë bashkëpunim të bazuar në respekt reciprok dhe barazi, e bashkëpunim që promovon rregullat dhe vlerat e BE-së, që mundëson përparimin dhe avancon demokracinë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen dhe pozita e Kosovës në procese rajonale duhet të përmirësohet. Ai ka vlerësuar se Kosova duhet të kryesojë organizata rajonale në të cilat është anëtare dhe të jetë nikoqire e tyre. 

Sa i përket diskutimeve për energjinë, që ishte pjesë e rëndësishme e samitit të këtij viti, Kurti ka thënë se Kosova është me fat që nuk mbështetet në gazin rus. Ai ka vënë në pah vështirësitë e Kosovës në këtë fushë, pasi që mbështetet në import.

“Në sesionin e sigurisë së furnizimit me energji, adresova faktin se Kosova është me fat që nuk mbështetet në gazin e Rusisë, por megjithatë mbështetemi në importin e energjisë elektrike, e veçanërisht gjatë dimrit. Kriza energjetike, e rënduar nga agresioni rus në Ukrainë dhe përdorimi si armë i energjisë nga Putini, ka ndikuar nëpërmjet çmimeve të larta të energjisë elektrike. Republika e Kosovës iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, sepse e kuptojmë se gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë dhe paqen e Evropës, e më e rëndësishmja, për jetën e popullit ukrainas. Ne besojmë se asnjë vend demokratik nuk duhet të qëndrojë neutral përballë mizorisë dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Kurti. 

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës synon të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve të energjisë, por edhe të sigurojmë që të ketë stimuj për të rritur efiçiencën e energjisë dhe për të ulur kërkesën për energji. 

“Këtë vit kërkesa jonë për energji elektrike është ulur me mbi 6%. Ne synojmë ta mbajmë këtë trend duke subvencionuar familjet që kursejnë energji dhe blejnë pajisje efiçiente për ngrohje. Deri në fund të vitit, ne do të miratojmë Ligjin tonë të parë për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, do ta bëjmë më të lehtë për familjet dhe bizneset instalimin e paneleve diellore dhe do të hapim ankandin e parë për investitorët privatë. Falënderova BE-në dhe Gjermaninë që kanë qenë partnerë tonë të palëkundur”, ka shkruar në fund ai.

Exit mobile version