Site icon PrishtinaPress

Kurti në Tetovë pyetet për raportet me Ali Ahmetin e Edi Ramën

Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Tetovë tha se atje s’ka shkuar për qëllime partiake, por për vizitën e cilësoi si kombëtare.

Kurti vizitoi Tetovën dhe Çairin, dy komuna që udhëhiqen nga kryetarë opozitarë, por tha se ai atje shkoi për shkak të ftesës që ka marrë nga ata.

Në një intervistë për televizionin lokal “Koha TV”, Kurti u pyet edhe për raportet e tij me Ali Ahmetin e Edi Ramën.

“Kemi raporte korrekte, raporte të mira. Është çështje e përgjegjësive institucionale që kemi, por edhe politike e kombëtare, por kjo s’do të thotë që nuk kritikohemi ose që nuk kemi mospajtime asnjëherë për asnjë gjë. Besoj që kritikat janë pjesë e demokracisë dhe ato duhet të jenë konstruktive”.

Kurti edhe atje e përmendi anulimin e mbledhjes së dy qeverive nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Është për të ardhur keq që më 14 qershor nuk u mbajt mbledhja e dy qeverive, që u përgatit muaj më parë, por anulimin e saj nuk e kemi bërë ne, përkundrazi ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Është mirë që të mos pritet mbledhja e ardhshme që të nënshkruhen ato marrëveshje, që më në fund u bë nga Tirana zyrtare përveçse nga Prishtina”, tha Kurti.

Kurti tha se ka kontakte edhe me krerët e partive të tjera politike shqiptare, por jo vetëm.

“Gjithashtu edhe me LSDMN’në kemi kontakte në forume të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të drejtpërdrejta për shkak se edhe ata janë në mesin e këtyre partive socialdemokrate. Kështu që kjo vizitë nuk është partiake, është kombëtare është për të mirën e të dy shteteve tona, është për të mirën e qytetarëve në të dy anët e kufirit në mënyrë që ata të jenë përfituesit e neve politikanëve që mbajnë funksione e kryejmë aktivitete”, tha Kurti.

Exit mobile version