4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Kurti në takim me gazetarët: Po punojmë me ritme të larta prandaj nuk po dalim shpesh në intervista, opozita ka shumë kohë të lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka mbajtur një takim të fundvitit me gazetarët, nga ku ka folur për sfidat e qeverisë por edhe të gazetarëve.

“Ky vit, krahas së qeni i suksesshëm, ka qenë edhe sfidues për të gjithë neve. Edhe për juve, edhe për neve, edhe për qytetarët e Republikës. E një falënderim i veçantë për gazetarët e terrenit, kameramanët dhe ekipet mbështetëse, të cilët kanë raportuar nga terreni edhe në situata të vështira, e veçanërisht në veri të vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti tha se “As për ne si Qeveri nuk ka qenë e lehtë, por kemi vijuar punën me angazhim maksimal për forcimin e aspektit të sigurisë, dhe kemi ecur përpara me arritje të reja, tash kur i kemi kaluar edhe 2/3-tat e mandatit qeverisës”.

“Mbase jeni duke menduar për ndonjë kritikë a sugjerim, që përherë janë të mirëseardhura. Ajo që shpesh e dëgjoj është “pse nuk po dilni më shpesh në intervista”. Ne po bëjmë maksimumin që të jemi të pranishëm gjithandej, edhe në studiot e juaja, atëherë kur mundemi në emisione, por puna po vijon me ritme të larta, e shpeshherë na e pamundëson diçka të tillë. Por, si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam qenë shumë i interesuar gjatë këtyre edhe pak tri viteve, që sa më shumë ministrat të jenë në ballë të detyrës për fushëveprimtari të tyre, e unë si kryeministër të jem i pari i ministrave që më shumë bashkërendon sesa që zëvendëson ata”, tha Kurti.

Opozita në anën tjetër, tha Kurti, “ka shumë kohë të lirë, ndërsa po dëgjoj që as ata nuk po dalin edhe aq shpesh në emisione, e mbase kjo ja vlen të studiohet se çka po bëjnë në kohën e lirë”.

“Në pritjen e vitit të kaluar, disa prej jush nuk keni qenë të pranishëm, sepse keni qenë me detyrë në veri të Ibrit. Më vjen mirë që sot jemi bashkë edhe me gazetarët të cilët kanë raportuar prej andej. Para ardhjes tuaj këtu, e kemi mësuar lajmin e trishtë të ndarjes së hershme nga jeta e kolegut tuaj, Arton Turkaj. Janë të shumta komentet satirike të tij, të cilat i kam parë e që do të na mungojnë. Do të na mungojë Artoni. Ngushëllime familjarëve të gjithë e secilit prej juve. Ngushëllime të gjithë juve, e të gjithë neve”, tha Kurti.

Kurti, tutje shtoi se “në këtë fundvit, teksa reflektojmë për vitin që po e lëmë pas, le të çmojmë praninë e njëri-tjetrit, dhe le të kujdesemi sa më shumë për njëri-tjetrin në vitin e ri”.

“Viti 2024 do të na përcjellë me të njëjtin volum të punës. Urojmë dhe punojmë për sa më shumë suksese të reja, dhe zhvillim e progres për vendin e për qytetarët tanë. Ndërkaq, juve ju uroj punë të mbarë në misionin tuaj aq të rëndësishëm për demokracinë, informimin korrekt dhe të shpejtë. Faleminderit për punën që vazhdoni ta bëni në shërbim të publikut. Gëzuar 2024!”, përfundoi Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img