Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin rajonal të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropiane.
Sipas njoftimit të VV-së, Kurti mori pjesë në këtë takim rajonal me ftesë të Fondacionit gjerman Friederich Ebert, ku u takua me udhëheqës të partive socialiste në selinë e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë – LSDM në Shkup.
“Çështje qendrore e diskutimeve ishte jetësimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian marrë parasysh realitetet e reja gjeopolitike, avancimi i agjendës socialdemokratike në Ballkanin Perëndimor dhe mobilizimi kundër rrezikut prej frymës në rritje të ekstremit të djathtë në Evropë”.
“Të pranishëm në këtë takim, krahas Kryeministrit Kurti dhe bashkë-drejtuesit të SPD gjermane, Lars Klingbeil ishin drejtues dhe përfaqësues të lartë të partive simotra nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Bashkë me Kurtin në këtë takim ishte edhe drejtuesi i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të VV-së, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.