Site icon PrishtinaPress

Kurti në Paris takon kryetarin e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës – flasin për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen me letërnjoftime

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Paris në prag të Forumit të Paqes ka takuar edhe përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, me të cilët ka biseduar për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit.

Kurti gjatë takimit me kryetarin e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Zhelkjo Komshiq ka vënë në pah rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes nga Procesi të Berlinit, atë për lëvizjen e lirë me letërnjoftim.

“Faleminderit kryetarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljko Komshiq dhe anëtarit të Presidencës, Denis Beçiroviq, për një takim produktiv. Diskutuam rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht asaj për lëvizjen e lirë me letërnjoftim dhe eksploruam bashkëpunimin e mëtejshëm”, shkruan Kurti.

Ndryshe, tre marrëveshje thelbësore rajonale janë nënshkruar më 03.11.2022 në Berlin në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, të cilat do ta thellojnë bashkëpunimin mes shteteve nga Ballkani Perëndimor.

Marrëveshjet e nënshkruara nga shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë për qëllim integrimin rajonal dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Serbisë, Ana Brnabiq kanë nënshkruar tri marrëveshje për lëvizje të lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Pas miratimit nga Qeveria e Kosovës më 8 shkurt 2023, Kuvendi i Kosovës ratifikoi të enjten e 23 shkurtit tri marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit, e të cilat ishin nënshkruar në fillim të nëntorit të vitit 2022 nga liderët e gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Kuvendi i Kosovës miratoi të tri këto marrëveshje, atë për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën.

Po ashtu u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Exit mobile version