Site icon PrishtinaPress

Kurti në një ndejë me mërgimtarë e shpall “Ballkonin e Hapur”

Kryeministri Albin Kurti ka organizuar mbrëmë një ndejë për mërgimtarët në ballkonin e Kryeministrisë.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti iu uroi mirëseardhje mërgimtarëve, ndërsa tha se ideja e “Ballkonit të Hapur” ishte iniciativë e stafit të tij.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur”, citohet të ketë thënë Kurti.

Duke iu folur të pranishmëve për vendimin e Qeverisë për t’ua mundësuar mërgimtarëve një angazhim gjashtëmujor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kurti tha se “secili bashkatdhetar i yni në mërgatë është diplomat”.

“Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë. Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kryeministri tha se kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human”, njoftoi ZKM.

Kuri aty ka përmendur faktin se një mërgimtare si Donika Gërvalla e ka bërë kryediplomate të Kosovës.

“Asaj thënies së famshme nga pak pesimiste se bashkatdhetarët po ndjehen as atje as këtu, kryeministri tha se i përgjigjemi me të kundërtën që besojmë se është e vërteta, ju jeni edhe atje edhe këtu, jeni fizikisht pjesën më të madhe të vitit jashtë atdheut por gjithsesi gjithmonë brenda kombit”, njoftoi ZKM.

Kurti thuhet se ka përmendur milionat që mërgimtarët ia kanë sjellur Kosovës, duke iu bërë thirrje atyre që të kthehen për të investuar.

“Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar”, citohet të ketë thënë kryeministri.

 

 

 

Exit mobile version