2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Kurti: Në Mitrovicë u pagua çmimi i lirisë edhe pas çlirimit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe struktura politike, familjarë të viktimave, si dhe shumë qytetarë, kanë kujtuar sot gjatë një akademie përkujtimore në Mitrovicë, tmerrin e natës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të këtij qyteti, me ç’rast grupe të armatosura serbe kishin vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25, ndërsa dëbuar me dhunë nga pronat e tyre rreth 12 mijë shqiptarë të tjerë.

Kurti tha se mëngjesi i 4 shkurtit para 20 vjetëve i gjeti banorët e Mitrovicës në një gjendje lufte.

Sipas tij, shteti i Kosovës ju ka shumë borxh këtyre familjarëve të cilët paguan çmimin e lirisë edhe pas çlirimit, dhe të cilët janë njëkohësisht dëshmi e gjallë se plagët vazhdojnë të mbeten akoma të hapura.

“Në Mitrovicë edhe pas përfundimit të luftës, nuk ka mbaruar lufta, sepse nuk janë ndalur luftimet dhe sulmet e ndryshme. Mëngjesi i 4 shkurtit para 20 vjetëve i gjeti banorët e Mitrovicës në një gjendje lufte, ku morëm vesh se janë ekzekutuar 10 qytetarë të pambrojtur e të pafajshëm dhe gjatë atij muaji mbi 1 mijë e 500 familje me afër 12 mijë banorë u dëbuan nga pjesa veriore e qytetit Ne si shtet i Kosovës dhe institucione të Republikës ju kemi shumë borxh këtyre familjarëve të cilët kanë paguar çmimin e lirisë edhe pas çlirimit, dhe njëkohësisht janë dëshmi e gjallë se plagët tona mbeten të hapura. Ne duhet të qëndrojmë e do të qëndrojmë pranë këtyre familjarëve të cilët sot kanë dhembje e pikëllim sepse i kujtojnë me shumë mall më të dashurit e tyre”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh i bindur se shqiptarët do të kthehen në atë pjesë të qytetit në numër më të madh se sa kanë qenë më herët.

Ai ka kërkuar nga kryeministri i sapoemëruar që të ndajë një fond të veçantë për ndërtimin e shtëpive në veri.

“Unë e di se tani jemi në normalizim të gjendjes dhe shqiptarët do të kthehen në pjesën e veriut në numër më shumë se sa kanë qenë. Kam para jush këtu një kërkesë të veçantë për kryeministrin që të ndajë një fond për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore dhe të kthehen shqiptarët ku kanë jetuar me shekuj. Ky është plotësimi i dëshirave të atyre që kanë vdekur”, theksoi Bahtiri.

Në anën tjetër, kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë dhe veprimtari i shquar, Halit Barani, ka potencuar se kriminelët serbë, duke parë se shqiptarët nuk po heqin dorë nga pronat e tyre në veri, organizuan vrasje dhe përndjekje të dhunshme dhe atë në prani të forcave ndërkombëtare.

“Kriminelët serbë dhe liderët e tyre tashmë të njohur që ishin në kontakt me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, duke parë se shqiptarët nuk po heqin dorë nga pronat e tyre, natën në mes të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, organizuan aksionin më të llahtarshëm dhe më mizor me përndjekjen e dhunshme të shqiptarëve, dhe atë në prani të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut”, deklaroi ai.

Ndryshe, në fund të akademisë përkujtimore që u organizua nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me KMLDNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, u interpretuan edhe disa pika muzikore nga kori i Shkollës së Mesme të Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. /kp

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img