Site icon PrishtinaPress

Kurti në Mejë të Gjakovës: 24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi

Kryeministri Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi kurora me lule në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, në nderim të të gjithë të vrarëve në Masakrën e Mejës, 24 vjet më parë.

Kurti shprehu  dhimbjen dhe pikëllimin por edhe mirënjohjen e tij të thellë me nënat, motrat, baballarët, vëllezërit, fëmijët, gjyshërit, gjyshet e atyre të cilët u vranë në këtë masakër.

“24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se në mesin e të vrarëve në Meje janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë, pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, pa dallim gjinie, pa dallim prejardhjeje, pa dallim feje. Ju këtu, tha ndër të tjera kryeministri, i shihni varret bashkë të myslimaneve e të katolikëve vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë.

Më tej, Kurti shtoi se shqiptarët ishin bashkë edhe në luftë çlirimtare, por ata u vranë bashkë edhe prej forcave gjenocidale të Serbisë dhe tash ne i kujtojmë me mall e dhembje si martirë e dëshmorë të kombit tonë.

Ne nuk e trajtojmë këtë si një çështje historie, por si një çështje të jetës sonë të këputur, megjithëse të gjithë këta të rinj e të reja, fëmijë të vrarë, sot do të kishin familjet e tyre, sot do të vazhdonin jetën dhe do ta gëzonin lirinë, e cila i ka rrënjët në gjakun edhe në sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të kombit, theksoi Kryeministri.

Duke theksuar angazhimin e Qeverisë për drejtësi dhe për të vërtetën, Kryeministri veçoi vendimin e Qeverisë për aderim në Komisionin ndërkombëtar për personat e Zhdukur (ICMP),  që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare ne të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve.

Në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda, me 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar tashmë, është ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës dhe do të ketë 41 hetues, bëri të ditur Kryeministri.

Gjithashtu përmendi shtimin e buxhetit edhe për Prokurorinë, duke i shtuar edhe 4 prokurorë, 6 bashkëpunëtorë profesionistë dhe dy përkthyes për rastet e krimeve të luftës dhe 50 pozita të reja edhe për përgjithësi Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Kurti shoqërohej nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrat Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari dhe Arbërie Nagavci, deputetë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Exit mobile version