Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot nisën punimet e edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve. Në hapjen e kësaj konference, mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri tha se historia jonë është një histori suksesi, e një demokracie e cila lulëzon përkundër sfidave të sigurisë, e rritjes ekonomike, që pasqyron sundimin e ligjit dhe liritë qytetare dhe ekonomike, dhe një populli i cili u çlirua përballë aparteidit dhe gjenocidit.
Duke iu drejtuar ambasadorëve të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh se është përgjegjësi e shërbimit tonë diplomatik që të tregojnë historinë e popullit tonë me guxim, me bindje dhe vendosmëri; dhe të ndërtojnë ura komunikimi që zëri i Kosovës të mos mbetet i heshtur në asnjë forum, asnjë tryezë dhe asnjë bisedë ku flitet për vendin tonë.
“Ai tërhoqi vëmendjen se përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, Serbia vazhdimisht përdor propagandën e dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe në mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e ZKM.
“Pikërisht për këtë arsye, roli i ambasadorëve tonë merr vlerë edhe peshë të shtuar, tha kryeministrit, dhe se për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën, të vërtetën tonë:.
“Ju e dini që sot kemi një betejë të narrativave, e në këtë betejë koha dhe profesionalizmi janë armët kyçe. Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet. Të gjithë e dimë që e vërteta fiton në fund, por më mirë është kur fiton më herët sesa në fund. E vërteta është në favorin tonë”, tha ai.
Në fjalën e tij, kryeministrit theksoi se angazhimi drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, Bashkim Evropian, organizata ndërkombëtare, sidomos në NATO, njohje dhe avancim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës mbetet objektiv i yni i përbashkët.
Ai shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë për punën dhe përkushtimin ambasadorëve tanë gjatë gjithë këtij viti në përfaqësimin e vendit tonë, teksa renditi disa prej arritjeve kryesore të përbashkëta këtë vit.
Fuqizimi i procesit të Berlinit si platformë e përbashkët e bashkëpunimit rajonal, arritja e marrëveshjeve që promovojnë tregun e përbashkët rajonal, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, pastaj liberalizimi i vizave, aplikimi dhe kalimi me sukses në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në 10 organizatat ndërkombëtare dhe aderimi në Konventat Ndërkombëtare, janë disa nga sukseset tona të përbashkëta në politikën e jashtme, të cilat i renditi kryeministri në fjalën e tij.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si dhe ministra e zëvendësministra e deputetë të Kuvendit së bashku edhe me ambasadorë e përfaqësues të Republikës së Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Historia jonë është një histori suksesi. Historia e një demokracie e cila lulëzon përkundër sfidave të sigurisë, e rritjes ekonomike që pasqyron sundimin e ligjit dhe liritë qytetare dhe ekonomike, dhe e një populli i cili u çlirua përballë aparteidit dhe gjenocidit.
E kuptoj që puna juaj është shpesh e padukshme, por suksesi juaj lë gjurmë të dukshme, dhe është pjesë e suksesit kolektiv të shtetit tonë.
Është e rëndësishme që rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbeni, por edhe si ndërveprim me njerëzit. Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme sesa tani diplomacia publike.
Takimet dhe bisedat me studentë e gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë, sigurisht se kanë rritur e forcuar lidhjet mes shteteve e popujve tanë.
Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë. Andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jemi gjithnjë e më aktivë dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet dhe, për më keq, i lë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave.
Raportet që ju dërgoni janë posaçërisht të vlefshme, kur janë të shpejta, të mprehta, dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni më parë se sa gjatësia e dokumentit.
Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën e dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe pikërisht për këtë arsye, puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar.
Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi, dhe të jeni të shpejtë në reagime.
Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën, të vërtetën tonë.
Në këtë pikë duhet të jeni edhe aktivë edhe proaktivë dhe të kontribuoni në përgjigjet e shpejta që duhet të thuhen.
Ju e dini që sot kemi një betejë të narrativave, e në këtë betejë koha dhe profesionalizmi janë armët kyçe.
Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet.
Të gjithë e dimë që e vërteta fiton në fund, por më mirë është kur fiton më herët sesa në fund. E vërteta është në favorin tonë.
Në drejtësi kemi nisur reforma të thella për të krijuar institucione të qëndrueshme që ofrojnë drejtësi dhe kjo është tejet e vlefshme për partnerët tanë demokratikë.
Pastaj, në ekonomi, prijmë me rritjen më të lartë ekonomike dhe me politika që qëndrueshmërisë, investimeve dhe inovacionit i kanë dhënë prioritet në mënyrë të suksesshme.
E në këtë fundvit më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe të Qeverisë për punën dhe përkushtimin tuaj gjatë gjithë këtij viti në përfaqësimin e vendit tonë, por edhe të reflektojmë bashkërisht mbi arritjet dhe sfidat që i kemi përpara.
Kosova është ende një shtet relativisht i ri për shumicën e vendeve ku shërbeni ju, e që po ndërton dhe formëson pozitën saj në skenën ndërkombëtare.
Avancimi i pozitës sonë varet nga përkushtimi i secilës dhe secilit prej nesh, puna juaj prandaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë.
Promovimi i interesave ekonomike të sigurisë dhe të politikës së jashtme janë detyra juaj parësore, kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë parimet dhe vlerat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj, për punën e gjithëve.
Për këtë detyrë kërkohet që secili të jetë në nivelin e duhur, pasi suksesi ynë jashtë vendit, në masë madhe, varet nga suksesi i misioneve tona. Sigurisht, ju duhet të keni kushtet dhe stafin e nevojshëm për ta realizuar objektivat tona të përbashkëta.
Fuqizimi i Procesit të Berlinit si platformë e përbashkët e bashkëpunimit rajonal dhe arritja e marrëveshjeve që promovojnë tregun e përbashkët rajonal e së fundi edhe Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian. Pastaj, liberalizimi i vizave, aplikimi dhe kalimi me sukses në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në 10 organizatat ndërkombëtare dhe aderimi në Konventat Ndërkombëtare, janë disa nga sukseset tona të përbashkëta në politikën e jashtme, suksese këto që do t’i shumëfishojmë në muaj e në vitet që vijnë.
Të nderuar ambasadorë,
është përgjegjësi e juaj të tregoni historinë e popullit tonë por edhe të mësoni e të kuptoni sa më mirë që mundeni, historinë, kulturën dhe aspiratat e vendeve ku shërbeni.
Tregojeni historinë tonë me guxim, bindje dhe vendosmëri; ndërtoni ura komunikimi dhe sigurohuni që zëri i Kosovës të mos mbetet i heshtur dhe në asnjë forum, asnjë tryezë dhe asnjë bisedë ku flitet për Kosovën.
Në demokraci, jemi dëshmia më e mirë se si një vend i vogël mund të jetë pararojë për vlera të mëdha, ku demokracia dhe zhvillimi shkojnë krah për krah.
Këto janë arritje që meritojnë të tregohen dhe mbrohen. Ato do të humbasin në heshtje nëse ju, nëse të gjithë ne bashkë, nuk i vendosim në qendër të takimeve me qeveritë dhe institucionet e shteteve të tjera.
Orientimi ynë strategjik është i qartë, siç janë të qarta edhe vlerat që ne përfaqësojmë dhe përqafojmë.
Aleanca, partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar duhet të jetë prioritet. Njëjtë siç duhet të jenë prioritet marrëdhëniet me shtetet e tjera që ndihmuan në çlirimin e vendit tonë.
Të gjitha shtetet e NATO-s, janë shtete ku ne përqendrohemi në intensifikimin e raporteve me ta.
Angazhimi ynë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, Bashkim Evropian, organizata ndërkombëtare, sidomos në NATO, njohje dhe avancim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës mbetet objektiv i yni i përbashkët.
Dhe krejt në fund, sa i përket dezinformatave dhe propagandës, se unë besoj që kjo është beteja kryesore, mendimi kritik është i domosdoshëm, por më duhet të them se nuk është i mjaftueshëm. Përveç mendimit kritik na nevojitet gjithmonë verifikim faktesh dhe verifikim logjik. Sot në botën e këtij komunikimi të pakufizuar narrativa është bërë më e rëndësishme se fakti. Pra nëse arrihen disa dezinformata të ndërlidhen me sistem që kanë një koherencë të brendshme paçka se secila prej tyre është e pa vërtetë, nëpërmjet koherencës së tyre të brendshme ato imponohen si një e vërtetë e përkohshme, që dëmin nuk e ka të përkohshëm.
Prandaj, është tejet e rëndësishme që përveç mendimit kritik që duhet ta kemi secili prej nesh me atë luftën hibride kur ballafaqohemi njëkohësisht verifikim faktik, verifikim logjik dhe narrativa e së vërtetës sonë që vjen prej historisë sonë dhe prej një realiteti që e kemi jetuar dhe përjetuar të gjithë.
Së bashku jam i bindur që duhet të punojmë që e vërteta e Kosovës të triumfojë mbi çdo dezinformatë dhe të tregojmë se Kosova është një shembull për rajonin dhe për botën, dhe se Kosova është një vend në të cilin miqtë, aleatët tanë mund të llogarisin për një të ardhme afatgjatë.
Ju falënderoj për përkushtimin dhe punën tuaj.