Site icon PrishtinaPress

Kurti në konferencë me liderët e partive të majta në Evropë: Zgjedhjet pas pandemisë, e vetmja rrugë për të mos e shkelur vullnetin qytetarë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë të mërkurës mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Partia e Socialistëve Evropian dhe grupi S&D, që për qëllim kishte adresimin e sfidave rreth COVID-19, situatën politike dhe rrugët e bashkëpunimit e solidaritetit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë konferencë, Kurti i njoftoi përfaqësuesit e partive të majta në Evropë për menaxhimin e suksesshëm që Qeveria e Kosovës ka bërë për ta parandaluar përhapjen e COVID-19, për të rritur numrin e të shëruarve, dhe zvogëluar vdekshmërinë e pacientëve të prekur.

Kurti përmendi edhe masat që ka ndërmarr qeveria për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset, njëherit duke vlerësuar edhe ndihmën financiare e materiale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera aleate të Republikës së Kosovës.

Rreth situatës politike, Kurti i njoftoi të pranishmit për vendimin e presidentit, Hashim Thaçi për ta bërë qeverinë e re, ku theksoi se e vetmja rrugë përpara është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve pas kalimit të pandemisë. Pra, sipas Kurtit rruga e respektimit dhe jo e shkeljes së vullnetit qytetarë të shprehur me datë 6 tetor.

Për suksesin e një angazhimi të përbashkët, sipas Kurtit, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtarë është i nevojshëm të ndodhë jo vetëm brenda institucioneve Evropiane, por edhe nëpër vështirësitë dhe betejat shoqërore e politike me të cilat përballemi.

“Solidariteti ndërkombëtarë është çështje e një organizimi pragmatik bazuar në angazhime që japin efekte”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Exit mobile version