Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në drekën e shtruar në kuadër të Festivalit të filmit të shkurtër dhe dokunentar “DokuFest”.
Aty u bë njoftimi mbi marrëveshjen për bashkëproduksion ndërmjet Kosovës dhe Francës për filmin dokumentar “Adelina” nga Aurela Berila.
“Kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur që ky takim e rrjetëzim i ka bërë sot bashkë në Prizren, me pjesëmarrës në garat kombëtare dhe ballkanike, si dhe përfaqësues të industrisë së filmit nga rajoni, duke përfshirë programues, producentë dhe shpërndarës të festivaleve. Ai e vlerësoi lart rëndësinë kulturore që festivali DokuFest ka për vendin dhe veçoi bashkëpunimin e mirë ndërmjet Kosovës dhe Francës në fushën e kinematografisë, për çka falënderoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe ambasadën franceze në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës transmeton Klankosova.tv
Duke filluar nga ky vit, DokuFest do të jetë partner i platformës Euro Connection si korrespondent për Kosovën.
Kjo platformë është platforma kryesore në Festivalin Clermont-Ferrand për bashkëprodhimet e filmave të shkurtër.
“Nga ky vit, DokuFest do të organizojë thirrje për projekte nga Kosova që do të prezantohen në platformë, me synim nxitjen e partneriteteve për bashkëprodhime të filmave të shkurtër ndërmjet kompanive evropiane dhe ndërkombëtare të prodhimit”, thuhet në njoftim.