Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e ditës së veteranëve të UÇK-së, ka shkruar për historinë e familjes së Jasharajve në Prekaz, duke thënë se në nderim të bijve të Shaban Jasharit, data 30 dhjetor është qarkuar në kalendarin historik si Dita e Veteranëve të UÇK-së.
“Në kujtim dhe nderim të rezistencës së bijve të Shaban Jasharit në Prekaz më 30 dhjetor 1991, data 30 dhjetor është qarkuar në kalendarin historik si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri në qershor të vitit 1999 kur Kosova u çlirua nga Serbia pushtuese, më shumë se dy mijë njerëz ranë dëshmorë kurse shumëfishi i tyre luftuan nën emblemën e UÇK-së dhe me flamur kombëtar shqiptar për çlirimin e vendit tonë Kosovës”, shkroi ai.
Postimi i plotë:
Në Ditën e Veteranëve të UÇK-së
Ditë e hënë, 30 dhjetor 1991, ora pesë e mëngjesit. Në fshatin Prekaz i Poshtëm në zonën e Drenicës, njësite të policisë së Serbisë i rrethuan shtëpitë e Shaban Jasharit, një mësuesi patriot që atë kohë ishte 67 vjeçar. Shënjestra e policëve ishte djali i tij 36 vjeçar Ademi, që donin ta bënin të dorëzohej dhe ta arrestonin. Tre javë më parë, Ademi bashkë me nipin e tij Muratin ishin kthyer nga Shqipëria ku për një muaj rresht ishin stërvitur ushtarakisht nga oficerë të ushtrisë shqiptare.
Por rruga në të cilën ishte nisur tashmë Ademi nuk e njihte dhe as e pranonte dorëzimin. Pas një rezistence të armatosur rreth gjysmë ore të të tre vëllezërve, Rifatit, Hamzës dhe Ademit, ata arritën të dalin jashtë perimetrit të shtëpive të rrethuara duke u bashkuar me shumë fqinjë dhe shokë që u kishin shkuar në ndihmë. Aksioni i policisë vazhdoi dhe rrethimi nuk u tërhoq deri në orët e vona të pasdites.
Atë ditë në Prekaz, dy persona u plagosën, 14 familje u bastisën, 27 persona u ndaluan dhe u mbajtën gjithë ditën në borë, kurse në fund të ditës 50 fshatarë u arrestuan, mes të cilëve edhe Shaban Jashari që u mbajt dy ditë në Qendrën e Sigurimit në Mitrovicë ku u torturua nga policët. Rifati arriti të kthehej sërish në Gjermani, ndërsa Hamza dhe Ademi kaluan në ilegalitet dhe jetuan ashtu në ilegalitet për gjashtë vite e dy muaj, nga dita e 30 dhjetorit 1991 e deri në rënien e tyre heroike gjatë rezistencës në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Në kujtim dhe nderim të rezistencës së bijve të Shaban Jasharit në Prekaz më 30 dhjetor 1991, data 30 dhjetor është qarkuar në kalendarin historik si
Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri në qershor të vitit 1999 kur Kosova u çlirua nga Serbia pushtuese, më shumë se dy mijë njerëz ranë dëshmorë kurse shumëfishi i tyre luftuan nën emblemën e UÇK-së dhe me flamur kombëtar shqiptar për çlirimin e vendit tonë Kosovës.
Urime Dita e Veteranëve të UÇK-së të gjithë luftëtarëve të paepur për lirinë e Kosovës!