Site icon PrishtinaPress

Kurti ndau çmimet për kontribut jetësor të personaliteteve të komunitetit rom

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në manifestimin e “Roma Versitas Kosova”, për nder të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ku edhe u bë ndarja e çmimeve për kontributin jetësor të personaliteteve të komunitetit rom.

Nga zyra e kryeministrit bëjnë të ditur se me këtë rast, Kurti shprehu kënaqësinë që sot ishin bashkë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve, por edhe për të shprehur mirënjohje ndaj personaliteteve të këtij komuniteti që kanë kontribuar për Kosovën.

“Çdo ditë, të gjithë ne, përfshirë mua, jemi dëshmitarë të arritjeve të komunitetit rom. Kam vizituar biblioteka me libra në gjuhën rome. Kam takuar poetë e akademikë të komunitetit, që pasurojnë e promovojnë letërsinë rome. Isha pjesë e ceremonisë së betimit të oficerëve rom, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në Ditën e Hapur të organizuar nga Qeveria, në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri, për të frymëzuar vajza dhe djem të komunitetit për karrierë në këtë sektor të rëndësishëm për shtetin dhe për të gjithë neve, kam bashkëbiseduar me shumë të rinj me vullnet e me përkushtim për karrierë e kontribut për sigurinë e vendit”, u shpreh kryeministri.

Exit mobile version