Site icon PrishtinaPress

Kurti: NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne i kemi pritur me lule e përqafime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes katër pikave ka shpjeguar pse ka bërë publike letrën të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, tashmë president, me sekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, lidhur me rolin e FSK-së.

Kurti ka thënë se prania e NATO-s në Kosovë  është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh.

Kryeministri po ashtu, ka thënë se çështja është pse Thaçi ka bërë zotim se FSK nuk do të shkojë pa koordinim me NATO-n në veri, në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiqin në Bruksel.

Në pikën e tretë, Kurti ka shkruar se nuk u kritikua pse kanë bërë transparente një letër të fshehtë por pse opinioni ligjor i zyrës së kryeministrit ka rekomanduar shkarkimin e presidentit.

1. Para tre muajve isha në ndërrimin e komandës së KFOR-it ku Gjeneral Michele Risi mori komandën. Sot e mirëprita në Kryeministri. E kam thënë atëherë, e them tash dhe do të them përherë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh.

2. NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime. Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga Presidenti ynë. Çështja është pse Presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiqin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi Presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?

3. Ajo që ne kemi bërë është publikimi i një letre e cila ishte mbajtur e fshehur nga publiku. Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit.

4. Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën.

Exit mobile version