10.5 C
Pristina
Wednesday, March 26, 2025

Buy now

spot_img

Kurti mori pjesë në tubimin Përkujtimor të masakrës në Fortesë të Rahovecit

Pas homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule të freskëta në varrezat e martirëve dhe dëshmorëve në Brestoc të Rahovecit, kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi me homazhe në fshatin Fortesë të kësaj komune, ku mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët në masakrën mizore në këtë vend nga pjesëtarët e forcave të armatosura serbe.

Në përkujtim të dëshmorëve dhe martirëve të vrarë në këtë masakër, kryeministri tha se ai ndodhet aty sot për të përkujtuar sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë për liri, për jetët e humbura dhe për mbijetesën e popullit, përballë gjenocidit të Serbisë.

Në këtë tubim përkujtimor, kryeministri Kurti ktheu në kujtesë për të pranishmit disa nga raportimet e ndërkombëtarëve për gjenocidin e tmerrshëm që po ndodhte asokohe në Kosovë. Duke filluar nga gazeta britanike “The Independent”, e cila kishte raportuar se “Nëse ka ndonjë dyshim se shfarosja e popullsisë shqiptare të Kosovës nuk ishte planifikuar mirë përpara fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, historia e Bellacërkës e hedh poshtë këtë gënjeshtër; sepse reagimi i serbëve ndaj bombës së parë ishte i menjëhershëm, i koordinuar dhe plotësisht i përpiktë, pa asnjë shenjë improvizimi”. Për masakrën e Fortesës ishte deklaruar edhe ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook si cili kishte thënë se “këta fëmijë nuk mund të kenë përbërë asnjë rrezik për askënd, por forcat serbe qartazi e shihnin çdo shqiptar, pa marrë parasysh moshën, si armik”, ndërsa, hetuesi britanik, Boytal-Gil, ishte shprehur se “sigurisht që kam pasur të bëj me vrasje më parë, por kurrë në jetën time nuk kam parë diçka të tillë”.

Policët e Serbisë u kishin thënë “Kërkoni ndihmë nga NATO tash!” grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё, para se të qëllonin mbi ta me armë automatike. “Çlirimi, Lumturia, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi, si dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu, mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm vogëlushi 3-vjeçar i familjes Zhuniqi. Në mesin e madh të strehuarve në bregun e lumit, mes tjerëve e vranë dhe doktorin Nesim Popaj. Atë ditë, mes të vrarëve, 15 ishin fëmijë, e më i vogli ishte 4 vjeç”, tha kryeministri.

Kryeministri theksoi se Masakra e Fortesës ishte përfshirë në aktakuzën ndaj Slobodan Millosheviq në Tribunalin e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë. Ndonëse ai nuk u dënua, për këtë masakër, mes tjerash, u dënuan urdhërdhënësit Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Lukiq dhe Vlastimir Gjorgjeviq.

I ndodhur në mesin e shumë familjarëve, banorëve të fshatit, veteranëve e invalidëve të UÇK-së, kryeministri tha se i përkulemi kujtimit të burrave e grave, djemve e vajzave, që ranë me flijim e me sakrificë, për çlirimin e Kosovës.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët në Fortesë!”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img