Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada franceze me rastin e 14 Korrikut – Festës Kombëtare të Francës.
Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.
Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri.
Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.
Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, tha ai dhe shtoi se që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë.
Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen, tha kryeministri Kurti.