Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një takim me mërgimtarë në Parkun e Qytetit në Prishtinë, ka thënë se gjatë këtyre dy viteve e katër muajve në qeverisje “kemi arritur një përparim e sukses mbreslënës edhe në politikë e demokraci por edhe në kulturë e ekonomi”.
“Roli, rëndësia, kontributi, angazhimi e puna e mërgatës tonë është e pamatashme, pra nuk mund ta paraqesim në aspektin sasior asnjëherë sa shumë keni bërë ju për atdheun tuaj. Kjo nuk ka filluar në shekullin 21, nuk ka filluar as në shekullin 20, por ka filluar në shekullin 19, sepse edhe Rilindja jonë kombëtare i ka fillimet në mërgatë. Pra, kombi jonë, shtetet tona janë nisur pikërisht prej mërgatës dhe ato në masë të konsiderueshme edhe mirëmbahen prej mërgatës, sepse ju e sjellni dijen, kulturën dhe mbështetjen e rëndësishme financiare e sociale për popullin, shoqërinë e për shtetin”, tha Kurti.
Kurti tha se gjatë qeverisjes së tij është arritur përparim e sukses në politikë e demokraci por dhe në kulturë e ekonomi.
“Gjatë këtyre dy viteve e katër muajve që u bënë në qeverisje, kemi arritur një përparim e sukses mbresëlënës edhe në politikë e demokraci, por edhe në kulturë e ekonomi, andaj jemi krenarë me këto rezultate, të cilat padyshim janë bërë të mundura nga referendumi i 14 shkurtit të vitit 2021. Atëherë kur duke iu falënderuar edhe votës tuaj, shumica dërrmuese e popullsisë e votoi ndryshimin, e votoi Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.
Në këtë takim, kreu i ekzekutivit foli për Fondin e Sigurisë dhe Mbrojtjes ku tha se mërgimtarët mund të kontribojmë për mbrojtjen e Kosovës dhe avancimin e ushtrisë. Pastaj përmendi Fondin Sovran të Mirëqenies.
“Ne nuk kërkojmë që të kontriboni duke sakrifikuar sikurse në të kaluarën por që të fitoni duke investuar. Fondi Sovran ka për qëllim të i’a shpëtojë Kosovës 42 mijë hektarë tokë bujqësore…”, shtoi ai.