Kryeministri i vendit, Albin Kurti në fjalën tij para kabinetit qeveritar ka thënë se për herë të parë me regjistrimin e popullsisë do të regjistrohen edhe dëmet e luftës.
“Ky regjistrim që fillon të premten do të na sigurojë edhe një evidencë të së kaluarës. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përfshinë 28 shkurtin 1998 deri më 12 qershor 1999”, tha Kurti.
Me këtë rast Kurti i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që urgjentisht të adresojë krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi që siç tha ai jemi duke i humbur dëshmitarët.
“Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. I bëjë thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë të krimeve të kryera gjatë luftës, pasi me kalimin e kohës jemi duke i humbur dëshmitarët”, tha Kurti.
Kryeministri tha se për të dokumentuar me saktësi krimet e kryera në Kosovë është themeluar edhe Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, ku tha se janë hapur vende të reja të punës e për çka ftoi qytetarët të aplikojnë e të deponojnë dëshmi.
Ndërkohë qeveria është duke shqyrtuar e miratuar 20 pika të rendit të ditës ndër to edhe miratimi i kërkesës së MAPL-së për ndarje të mjeteve buxhetore prej 4 milionë eurosh për subvencionimin dhe ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Po ashtu u miratua edhe propozim-vendimi për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për përgatitjen e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës, në EXPO 2025.